A ekziston vërtet një lojë e rrezikshme me emrin e një personazhi Jonathan Galindo?

Ditën e sotme një deklaratë e Policisë së Shtetit në faqen zyrtare në Facebook njoftonte për një lojë të rrezikshme që përhapej nëpërmjet rrjeteve sociale nga një personazh misterioz i quajtur Jonathan Galindo dhe që kishte në shënjestër fëmijët e moshës 10 deri në 18 vjec, një lojë që mund ti conte deri në vetëvrasje.

Njoftimi i Policisë së Shtetit përfundonte me shënimin se “…se deri më tani Njësia “C” për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Policinë e Shtetit nuk ka evidentuar asnjë rast të tillë në Republikën e Shqipërisë dhe njëkohësisht bën thirrje për çdo shtetas që beson apo dyshon se gra apo fëmijë ndodhen në situatë të një rreziku të tillë, të njoftojnë menjëherë dhe në çdo moment Policinë e Shtetit “.

Bëra disa kërkime në websitet e disa mediave si CNN, BBC, Reuters, Washington Post por në asnjërën prej tyre nuk gjeta asnjë artikull të vetëm që të fliste për këtë fenomen të rrezikshëm si Jonathan Galindo.

Por më dolën plot website (që nuk i kisha hasur ndonjëherë dhe ngjanin si blogje lagjesh) që flisnin për këtë lojë “të rrezikshme” madje citonin edhe dëshmi prindërish që pohonin se fëmijët e tyre kishin rënë viktima të kësaj loje. Sigurisht prindërit ishin pa emra, për tu ruajtur anonimatin, gjë që një rast të tillë nuk bën aspak sens por mesa duket ishin prindër si ajo shprehja “nga një mik që të do të mirën”.

Ndërkohë nuk vonuan të dilnin plot gazetarë, edhe Masimo Polidoro ku në një video në Youtube që kishte vënë në dukje mungesën e plotë të provave dhe fakteve që kjo lojë e rrezikshme të ekzistonte me të vërtetë.

Në Facebook ekzistojnë disa profile me emrin Jonathan Galindo me foton “gjysmë Mickey Mause, gjysmë njeri” por kjo nuk provon asgjë pasi cdokush mund të hapë një profil me një foto të cuditshme.

Kjo sajesë mediatike pa asnjë bazë e fakt nuk ndodh për herë të parë, madje nuk do të jetë as e fundit.

Ajo që është e vërtetë është fakti që mediat në ditët e sotme janë kthyer në transmetues deklaratash dhe njoftimesh por nuk bëjnë asgjë për të filtruar se cfarë ka të vërtetë në oqeanin e keqinformacionit pasi në kohën tonë mediat online kanë nevojë për klikime dhe prindër të tmerruar që nuk dijnë se nga cfarë ti ruajnë fëmijët.

Ermir Topi

Shpërndaje tek miqtë