Brez i papunë që kërkon të jetojë “full option, me llaska”

E kuptoj fare qartë shqetësimin alarmant e një brezi që përballet me papunësinë apo mungesën e prespektivës dhe pas asnjë rezervë bie dakort me ta se ky realitet nuk të mundëson as nevojat bazë, ku me plot gojën mund të thuash se klasa e mesme nuk ekziston më në Shqipëri. E hidhur, e vërtetë, e faktuar.

Brezi i ri ka të drejtë të justifikohet për sa më lart. Tani shtypim butonin 0 të ashensorit dhe le të zbresim poshtë, në realitetin ku jetojmë ku përtej justifikimeve mendoj se ka vend edhe për gjykime.

Ankohen se kanë mbaruar shkollën dhe se janë të papunë, nuk kanë të ardhura, nuk kanë prespektivë?! Pra pasi mbaruan shkollën, i thonë vetes “Unë e bëra timen, tani më duhet puna dhe ec aty”.

Në të njëjtën moshë me ta, edhe unë isha i papunë. Privilegji im i asaj kohe ishte se prindërit e mi e kishin shtëpinë e tyre, nuk më kërkonin qira për banesën, por më lanin rrobat dhe më vinin ushqim në tryezë për të tre vaktet.

Por mbetesha i papunë pa asnjë burim të ardhurash, nuk kisha lekë për cigaret e përditshme, as për telefona celularë dhe karta, as për veshje firmato outlet dhe fundjava plazhore.

Jo se nuk i doja këto gjëra por sado të rrëmoja nëpër xhepa, nuk gjeja lekë për to. Tu kërkoja lekë prindërve, ishte herezi dhe sakrilegj për “besimin tim fetar”.

E vetmja mënyrë për t’ja dalë ishte të punoja kudo ku mundesha e ku nuk kishte nevojë për miq me pozitë: në ndërtim, roje nate, të shisja banane dhe gazeta në treg dhe të kurseja me parimin “fito ndonjë lek më shumë, harxho më pak”.

Unë dhe shumë të tjerë si unë, e “dogjëm” një pjesë të rinisë duke punuar mes tymit dhe zhurmës së punës ndërkohë që ky brez kërkon ta “djegë” mes tymit të hashashit dhe noizy zhurmës. Mos fajëso qeverinë e sotme, se edhe në kohën tonë kishte drogë.

Shoh të rinj që me moton e tyre “jeta osht qef” ëndërrojnë punë zyre me paga si kokat e shkencës dhe të jetojnë si në videoklipet e Encës.

Të rinj që postojnë foto me duart-shqiponjë, që ndihen krenar se janë shqiptar, e nuk dinë të shkruajnë shqip.

Të rinj që nuk shfletojnë libra por shfletojnë internetin duke u informuar për të rejat e botës “akademike” mbi jetën luksoze të vipave, thonjtë, flokët, unazat, çantat, rripat, këpucët, kush u martua e kush u nda.

Të rinj që mbajnë krahqafë mini-çantat ku brenda tyre mbajnë paketa cigaresh, çelësa makinash, smartfonë dhe ecin shpenguar veshur me me atlete dhe rroba të cilat janë baraz me rrogën time të disa muajve.

Edhe unë mbaja dikur krahqafë një cantë, por brenda saj kisha bukën që ma vendoste mamaja në mëngjes, bukën që shpesh e ktheja sërish në shtëpi pas nëse nuk kisha punuar më dukej sikur nuk e meritoja. Kuptohet isha me mend të tjera në atë kohë, nuk isha “chill” sic e kërkon koha e sotme.

Më kujtohen edhe vajzat e kohës time, që për të hyrë në muhabet me to duhet ti prisje para shkollës ose në punë dhe nuk kishin kohë për ta konsideruar veten “jom princesh, ka kush puno per mu”. Por vajzat e sotme nuk kanë faj, faji e ka Instagrami.

Miku im, ti ke të drejtën tënde të ëndërrosh madje edhe të flesh për të përjetuar ëndrrat e tua por unë kam të drejtën time të mos kuptoj një brez që ankohet se është i papunë por kërkon të jetojë “full option, me llaska”.

– Ermir Topi

Shpërndaje tek miqtë