Kolec, m’ke pikë!

I vyemi Kolec, i nderti prof, i miri koleg, janë tu m’kalu tash para syve t’kujtesës gjithë kohët e jetume me ty. Kohë që udhakojnë prej Shkodre në Zagreb e ndalen gjatë në Tiranë, n’daç te kthina jote e vogël n’Institut, përballë times, ku hyja pa trokit e vija me t’i çatrafillu skedat etimologjike që rendisje në skedar secila mbështjellë në zarfin e vet; e në daç te kafja jonë bri Institutit, ajo me mprojtse të blertë prej shiut, ku mundoheshe me më msu si me duru e me u matë.

I shtrenjti Kolec, më kujtohet se m’u deshën plot tri kafe rresht me e kuptu sa hollë e bukur e kishe shpjegu etimologjinë e fjalës “kem” (timjan) duke ia kthy ma në fund atë fjalë tanësisë së fjalëve autoktone të trungut shqip. 

Kemi i shejtë ty t’shëlbeftë sot e të dhashtë pushimin e pasosun, ndonëse e dij se mendja jote e msume me kureshtu s’ka me pushu as n’atë jetë!

Fort i dashtun Kolec, paç Dritën që pasioni yt u dha fjalëve të terratisuna të shqipes!
M’ke pikë mu në zemër sot, mu thellë n’lug të zemrës! Kam me t’kërku dasht e padasht, siç kërkohen ata miq e kolegë që kur ikin, nuk të kanë ikë.

– Ledi Shamku

Shpërndaje tek miqtë